Sa i përket interesit për të marrë një leje pune në vendin tonë, kryesojnë shtetasit nga Turqia, Bangladeshi, India dhe Nepali.
Erion Muça, ekspert i sektorit të turizmit.tha se ka tri arsye pune,
“Së pari janë arsyet për çështje pune, si për punë sezonale, ashtu edhe për kontrata të përhershme, kryesisht nga 1- në 3-vjeçare. Arsyeja e dytë lidhet me lidhje të caktuara që kanë me Shqipërinë për çështje ofrimi shërbimi apo konsulence. Arsyeja e tretë ka të bëjë me bashkimin familjar,” thotë Muça.
Sektori i turizmit është një nga më të rëndësishmit në tërheqjen e fuqisë punëtore të huaj dhe vetëm në fillim të këtij sezoni kishte nevojë për 20 mijë punëtorë.
“Kryesisht në këtë periudhë është sektori i turizmit, sektori i përpunim-prodhimit, i ndërtimit dhe më pas sektorët që ofrojnë shërbime,” tregon Muça.
Muça flet për një interes specifik në profesione të caktuara, ndërkohë që prania e forcës së punës vendase është në rënie.
“Nuk do të thoja që Shqipëria po bëhet e varur nga punonjësit e huaj, por për disa profile që kanë të bëjnë me punë të thjeshta elementare, për të cilat kanë nevojë industri të caktuara, tregu vendas i punës e ka të domosdoshëm marrjen e punonjësve nga jashtë,” shprehet eksperti.
Gjatë vitit të kaluar, qeveria nisi negociatat me autoritetet filipinase për të sjellë mijëra punonjës të kualifikuar, kryesisht për sektorin e turizmit.