Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se operacioni kundër antiligjit në ndërtim shtrihet edhe në Parkun Kombëtar të Valbonës, teksa edhe ndau pamje nga heqja e ndërtimeve pa leje në luginën e Alpeve.
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtës së Territorit (IKMT) njoftoi se shembi objektin 3 katësh me nënçati, me konstruksion betonarme dhe muraturë tulle, i ndërtuar në kundërshtim me ligjin.
Rama shtoi se duhet të ndalen të gjithë ata që e vazhdojnë këtë sport të ulët, në hapësirat publike të qytetit, në bregdet a në male.
“Është e kotë, vetëm do të humbni lekë e kohë dhe pas vendimeve më të fundit të qeverisë, do të përballeni me pasoja të rënda”, theksoi më tej kreu i qeverisë.
Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.
E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon me prioritet në gjithë territorin e vendit.
Për goditjen e fenomenit të ndërtimeve pa leje, në Kodin e ri Penal parashikohen ndëshkime më të ashpra./S.K/KP/