UBT News

Rama mesazh protestuesve: “Unë jam miku, jo armiku juaj”

Përmes një reagimi të gjatë dhe me ton mjaft personal në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama i është drejtuar qytetarëve në rrjetet sociale, që morën pjesë në protestën e mbrëmshme në bulevard. Kreu i qeverisë u shpreh se nuk i sheh protestuesit si humbës, por si njerëz të mbetur vetëm me hallin e tyre, pasi u përdorën nga ata që ai i quajti “skllevërit e algoritmit” dhe faktorë të ndryshëm politikë e mediatikë.

Në mesazhin e tij, Rama deklaroi se e mirëkupton zemërimin e çdo qytetari që përballet me probleme të përditshme si legalizimet, pagat në të zezë apo vështirësitë në shëndetësi, duke ndarë të njëjtin irritim ndaj nëpunësve arrogantë. Megjithatë, ai hodhi akuza të forta ndaj organizatorëve, opinionistëve, influencuesve dhe grupeve nga diaspora, duke thënë se pasi morën klikimet, ndjekësit dhe vëmendjen e mbrëmjes, i braktisën protestuesit në bulevard.

“Ti mbete vetëm, me hallin tënd dhe pa askënd që ta qan, shembëlltyrë njerëzore e proletariatit të algoritmit,” shkruan Rama, duke shtuar se edhe ai vetë ndjen shijen e tradhtisë kur vartës të caktuar abuzojnë me besimin e tij. Në mbyllje të letrës, kryeministri bëri një thirrje të hapur për dialog: “Pyete veten nëse armiku yt jam unë… apo ata që të kthyen në heroin e mbrëmjes për të të lënë në rrugë si shishe boshe. Eja tek unë, jo të më duartrokasësh, por që të mos lejojmë askënd ta përdorë hallin tënd kundër Shqipërisë.” /E.A/

Exit mobile version