Mesfushori spanjoll Rodri është shumë pranë përmbylljes së një prej lëvizjeve më të mëdha të afatit kalimtar. Fituesi i “Topit të Artë” ka marrë lejen zyrtare nga Manchester City për të udhëtuar drejt Katalunjës, ku do t’i nënshtrohet vizitave të detajuara mjekësore përpara nënshkrimit të kontratës me klubin e Barcelonës.
Sipas detajeve të bëra të ditura nga gazetari i njohur i transferimeve, Fabrizio Romano, marrëveshja mes klubeve është arritur për një shifër bazë prej 60 milionë eurosh fikse. Paketës financiare i shtohen edhe 6 milionë euro në formë bonusesh të lehta për t’u arritur, si dhe 10 milionë euro të tjera që lidhen me performancat individuale dhe trofetë e mundshëm. Rodri pritet të firmosë një kontratë katërvjeçare, e cila do ta mbajë atë në “Camp Nou” deri në qershor të vitit 2030.
Rikthimi i spanjollit në La Liga përfaqëson një goditje të fuqishme strategjike nga drejtuesit e Barcelonës. Pas viteve të suksesshme në Premier League nën drejtimin e Pep Guardiolës, me këtë transferim klubi katalanas synon të gjejë liderin e ri të mesfushës, i cili do t’i sjellë skuadrës përvojën, kontrollin e lojës dhe cilësinë e nevojshme për t’u rikthyer në majat e futbollit evropian. /E.A/
