Artistja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, do të jetë pjesë e kastit të filmit të ri fantastiko-shkencor dhe thrillerit aventuresk “The Signalers”. Sipas revistës Variety, ajo do të ndajë ekranin me aktorin Tom Hopper, i njohur për rolet në serialet “The Umbrella Academy” dhe “The Terminal List”, si dhe me aktoren e re Mila Harris, e cila po shënon ngritje në Hollywood përmes projekteve “No Exit” dhe “Mary”.
Në kastin e këtij projekti janë përfshirë gjithashtu Missi Pyle (“Galaxy Quest”) dhe Nolan North (“Uncharted”), ndërsa në role mbështetëse do të paraqiten edhe Paulina Alvarez, David Silverman dhe Wolfgang Fiegl. Filmi, i cili është projekt i kompanisë Gramercy Park Media, tashmë ka nisur xhirimet. Skenarin e ka shkruar Cate Carson, e cila ka një të kaluar si detektive dhe specialiste e inteligjencës ushtarake, ndërsa regjinë e mban Gille Klabin, i njohur për filmin “The Wave”.
Ngjarja e filmit përqendrohet te një kontrollor i trafikut ajror (Tom Hopper), i cili punon në një zonë të izoluar, dhe mbesa e tij (Mila Harris), me të cilën ka një marrëdhënie të shkëputur. Jeta e tyre merr një kthesë të pazakontë kur zbulojnë një sinjal të pashpjegueshëm në thellësi të një zone të egër në Kanada, i cili shkakton fenomene të çuditshme e të rrezikshme dhe i shtyn të nisin një udhëtim për të zbuluar origjinën e tij.
Gjatë kërkimeve, ata hasin në një grup shkencëtarësh hulumtues, rolet e të cilëve luhen nga Rita Ora dhe Missi Pyle, që po ashtu janë në gjurmët e këtij fenomeni. Megjithatë, përpjekjet e tyre i çojnë pa dashje drejt zbulimit të një force të jashtëtokësore të varrosur prej kohësh, e cila nis të zgjohet rreth tyre. /E.A/
