Profesori Lulzim Beqiri dhe profesori Bekim Ceko nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT morën pjesë në konferencën ndërkombëtare “Towards Sustainable Reconstruction of Ukraine Cities”, të organizuar nën drejtimin e profesoreshës Vladimira Silhankova nga MIAS (Masaryk Institute for Advanced Studies) në kuadër të Czech Technical University në Pragë.

Konferenca kishte për qëllim identifikimin e sfidave të rindërtimit në Ukrainë pas përfundimit të konfliktit dhe hartimin e strategjive zhvillimore nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendore. Në këtë forum morën pjesë përfaqësues të universiteteve nga Çekia, Polonia, Sllovakia, Austria, Finlanda dhe Gjermania, si dhe universitete nga Ukraina, duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe ideve në fushën e rindërtimit urban dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë konferencë ishte veçanërisht e rëndësishme, pasi profesori Beqiri dhe profesori Ceko ndanë eksperiencat e vendit tonë në rindërtimin pas luftës. Ata prezantuan modele të strategjive të zhvillimit urban dhe praktika të suksesshme të projektimit dhe planifikimit hapësinor, të cilat mund të shërbejnë si shembull për Ukrainën në procesin e saj të rindërtimit.
Profesorët e UBT-së theksuan rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare në fushën e urbanistikës dhe arkitekturës, duke vënë në pah se përvoja e Kosovës mund të ofrojë mësime të vlefshme për vendet që kalojnë periudha të vështira pas konflikteve. Konferenca gjithashtu shërbeu si një mundësi për rrjetëzim dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta akademike mes universiteteve të Evropës dhe Ukrainës.
Pjesëmarrja e profesorëve të UBT-së në këtë forum ndërkombëtar nënvizon angazhimin e institucionit për të kontribuar në diskutime globale mbi rindërtimin e qyteteve, zhvillimin urban të qëndrueshëm dhe bashkëpunimin shkencor ndërkufitar.
