RILEM Association, një nga organizatat ndërkombëtare më të njohura në fushën e materialeve, sistemeve dhe strukturave të ndërtimit, do të bashkë-sponsorizojë Konferencën Ndërkombëtare për Inxhinieri Civile, Inovacion dhe Mjedis (ICCEIE), e cila do të mbahet më 23–25 tetor 2026, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së.
Konferenca do të mbledhë ekspertë ndërkombëtarë, profesorë, studiues, profesionistë të industrisë dhe përfaqësues të institucioneve nga Kosova dhe jashtë saj, duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive, prezantimin e rezultateve të reja shkencore dhe diskutimin e sfidave që lidhen me zhvillimin e ardhshëm të sektorit të ndërtimtarisë.
Në fokus të edicionit të sivjetmë do të jenë tema me rëndësi të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të ndërtimit, me theks të veçantë në restaurimin dhe ruajtjen e objekteve historike, ndërtimin e gjelbër, teknologjitë e avancuara dhe zgjidhjet inovative për ndërtim të qëndrueshëm.
Në kuadër të konferencës do të zhvillohen ligjërata dhe prezantime nga ekspertë të njohur ndërkombëtarë, përfshirë key lectures nga universitete prestigjioze evropiane, si Universiteti “La Sapienza” i Romës, krahas një numri të konsiderueshëm prezantimesh shkencore dhe profesionale.
Konferenca zhvillohet në një periudhë të rëndësishme për Fakultetin e Ndërtimtarisë të UBT-së, i cili, bazuar në të dhënat e indeksuara në Scopus, ka një pozitë udhëheqëse sa i përket publikimeve shkencore në fushën e ndërtimtarisë në Kosovë dhe në hapësirën shqipfolëse.
Përmes kësaj konference, UBT synon të avancojë më tej bashkëpunimin ndërmjet shkencës, industrisë dhe praktikës profesionale, duke krijuar mundësi për bashkëpunime të reja, projekte të përbashkëta, shkëmbim të përvojave dhe zhvillim të zgjidhjeve inovative për sfidat e sektorit të ndërtimit.
Thirrja për abstrakte është e hapur, ndërsa studiuesit dhe profesionistët e interesuar mund t’i dërgojnë abstraktet e tyre në adresën icceie@ubt-uni.net.
