UBT News

Reperi që protestoi për Mahsa Aminin përballet me ekzekutim në Iran

Tri javë pasi u arrestua dhunshëm në shtëpinë e tij nga forcat e sigurisë së Iranit, Saman Yasin, një artist dhe reper i ri kurd, po përballet me ekzekutim. Ai është akuzuar për luftë kundër Zotit pasi përmes rrjeteve sociale shprehu mbështetjen e tij për protestuesit kundër regjimit, raporton The Guardian.

Fati i tij, i cili do të vendoset gjatë ditëve në vijim nga gjykatat iraniane, mund të jetë edhe i mijëra protestuesve të tjerë të rinj që mbahen në paraburgim. Organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se regjimi mund të nisë një fushatë të përgjakshme hakmarrjeje në përpjekje për të shuar vazhdimin e protestave.

Sipas OKB-së, rreth 14 mijë njerëz, në mesin e tyre edhe fëmijë, janë arrestuar nga regjimi që nga fillimi i protestave më shumë se tetë javë më parë, pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgim pas arrestimit të saj nga policia morale e Iranit.

Në fillim të kësaj jave, autoritetet iraniane kanë njoftuar se do të mbajnë gjyqe publike për mbi 1 mijë persona të arrestuar në Teheran dhe diku rreth 1 mijë të tjerë jashtë kryeqytetit./UBTNews/

Exit mobile version