Në kuadër të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare me temën: “Arsimi gjatë gjithë jetës: qasje gjithëpërfshirëse nga fëmijëria e hershme deri te arsimi profesional”, të organizuar nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte folës kryesor, ku ndau vizionin e tij për transformimin e arsimit në Kosovë dhe rajon.
Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi theksoi se nuk mjafton vetëm pjesa universitare për të ndërtuar një sistem funksional, por është e domosdoshme lidhja e saj me arsimin parauniversitar.
“Procesi i ndërtimit të një sistemi arsimor gjithëpërfshirës nuk ka qenë i mjaftueshëm vetëm me arsimin universitar. Është dashur të krijojmë edhe sistemin parauniversitar, në mënyrë që nxënësit dhe studentët të kenë një qasje më të lehtë në tregun e punës”, tha ai.
Ai foli për kalimin nga klasa tradicionale drejt klasave digjitale, duke prezantuar konceptet inovative të zhvilluara edhe në UBT:
Klasa 2.0 – me laboratorë, kompjuterë, hapësira për gaming, hackathon dhe eksperimente praktike.
Klasa 3.0 – që solli dimensionin virtual dhe perceptimin 3D, duke rritur njohuritë dhe kompetencat e studentëve.
Klasa 4.0 – sistemi më i avancuar, që integron të gjitha teknologjitë smart dhe Inteligjencën Artificiale (AI).
“Nga klasa tradicionale kemi kaluar në klasa 2.0 e 3.0, ndërsa sot jemi në gjendje të aplikojmë edhe klasën 4.0, ku studentët përjetojnë kompetencat e së ardhmes në mënyrë reale dhe të menjëhershme”m u shpreh Rektori Hajrizi.
Ai shtoi se për Kosovën ky transformim ka pasur një rëndësi të madhe, pasi teknologjitë e reja e kanë bërë arsimin më të qasshëm dhe më të lirë.
“Nëpërmjet digjitalizimit, ne e kemi ulur koston e arsimit deri në 60%. Arsimi sot është më i shpejtë, më i qasshëm dhe më i lidhur me nevojat e tregut”, theksoi ai.
Një tjetër pikë e rëndësishme që ai ngriti ishte vendosja e Inteligjencës Artificiale (AI) në gjithë strukturën arsimore të UBT-së.
“Ne kemi integruar AI në të gjithë strukturën e UBT-së, duke krijuar një qendër unike në Ballkanin Perëndimor, ku studentët dhe nxënësit detyrimisht përdorin teknologjitë e së ardhmes”, theksoi Rektori Hajrizi.
Konferenca vazhdoi me një panel diskutimi mbi temat e trajtuara nga folësit kryesorë. U theksua se, përkundër zhvillimeve teknologjike, roli i familjes, brezit dhe shoqërisë nuk mund të eliminohet, pasi mbeten elementë themelorë të modelit tradicional të edukimit.