UBT News

Rektori Hajrizi: Studentët e UBT-së, të gatshëm për tregun global të punës

UBT ka dëshmuar se është institucioni lider në arsim, shkencë dhe inovacion në Kosovë e rajon, duke nxjerrë kuadro profesionale që sot kontribuojnë në kompani e industri të nivelit botëror. Në një intervistë në FIVE të Dukagjinit, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, thekson se përmes programeve moderne dhe industrive të krijuara brenda institucionit, studentët përgatiten jo vetëm për tregun e punës vendor, por edhe për atë global.

“Ne prodhojmë 400 arkitektë në vit, dhe nuk është se ka aq kompani vendore për t’i absorbuar. Ata punojnë për kompani globale. Po ashtu, ne përgatisim 1.000 programerë çdo vit, dhe kërkesa nuk është vetëm në Kosovë. Janë të mjaftueshme për tregun vendor, por ka kërkesa edhe në nivel botëror”, tha Rektori Hajrizi.

Ai nënvizoi se UBT ka arritur të harmonizojë kërkesat e tregut të punës me programet akademike, duke krijuar kushte që studentët të kenë qasje në teknologjitë më të reja, sikurse universitetet dhe industritë më të zhvilluara të botës.

“Studenti ynë ka mundësi të mësojë e të punojë me teknologjitë më të fundit, njësoj sikur studentët e universiteteve elitare në botë. Ne kemi krijuar edhe industri të brendshme, kompani ku studentët përjetojnë të gjithë ciklin organizativ të teknologjive dhe të kompanive moderne, në mënyrë që kur të dalin në treg të jenë të gatshëm menjëherë”, u shpreh Rektori.

Ai veçoi si shembull programet e arkitekturës dhe urbanizmit, ku studentët përgatiten me koncepte moderne të projektimit, por edhe fushën e “smart cities”, ku UBT është shembull ndërkombëtar për ndërtimin e qyteteve të mençura.

“Smart cities janë e ardhmja e qyteteve dhe e organizimit modern. Ne kemi treguar se edhe nga Kosova mund të ndërtohen modele të tilla të suksesshme. Nuk ka teknologji që e gjen në Amerikë, Gjermani apo Japoni, e që nuk mund ta hasësh edhe në UBT”, theksoi Hajrizi.

Duke folur për rolin e UBT-së në rajon, Rektori nënvizoi se institucioni ka qenë gjithmonë pararojë me programe unike dhe inovative, duke filluar që nga viti 2001 me menaxhimin inxhinierik, mekatronikën dhe më pas me teknologjitë e reja.

“Besoj se për Ballkanin gjithmonë kemi qenë një lloj lidershipi. Ne kemi qenë të parët që kemi hapur programe moderne, kemi krijuar qendra kërkimore dhe jemi pozicionuar ndërkombëtarisht, nga Londra, Vjena, deri në Finlandë. Ky është tregues se UBT është institucion proaktiv dhe inovativ në nivel global”, theksoi ai.

Në fund, Rektori Hajrizi potencoi se studentët e UBT-së nuk duhet të kenë kompleks inferioriteti, sepse tashmë kanë dëshmuar se janë të barabartë, madje shpesh më të mirë se bashkëmoshatarët e tyre në universitete ndërkombëtare.

“Shumë prej tyre sot punojnë në Zvicër, Gjermani, Amerikë, e më gjerë, duke kontribuar në zhvillime globale. Ky është konfirmim se UBT po udhëheq në Ballkan, duke prodhuar dije e kuadro të nivelit botëror”, përfundoi Rektori Hajrizi.

Exit mobile version