Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mirëpriti në takim një delegacion nga Instituti Yunus Emre në Kosovë, të kryesuar nga drejtori Ramazan Yılmaz.
Në këtë takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet UBT-së dhe Institutit Yunus Emre në fushën e gjuhës, kulturës dhe arsimit, me fokus të veçantë në gjuhën turke, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe kulturore, si dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.
Gjatë takimit, u theksua roli i Institutit të Gjuhëve të Huaja në UBT, i cili synon të zgjerojë gamën e trajnimeve dhe certifikimeve profesionale në gjuhë të ndryshme për studentët dhe qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me Institutin Yunus Emre pritet të kontribuojë në avancimin e ofertës për mësimin dhe certifikimin e gjuhës turke.
Palët shqyrtuan mundësinë e organizimit të kurseve të gjuhës turke, punëtorive tematike, ligjëratave të hapura dhe aktiviteteve kulturore, të cilat do t’u mundësonin studentëve të njihen më nga afër me gjuhën, traditën dhe kulturën turke.
Ky bashkëpunim synon të kontribuojë në pasurimin e ofertës akademike dhe ndërkombëtare të UBT-së, duke krijuar ura të reja komunikimi dhe bashkëpunimi me institucione partnere nga Turqia.
