UBT News

Rektori Hajrizi në IFM: Bashkëpunimi në të gjitha nivelet është çelësi për të përballuar kërcënimet digjitale

Në kuadër të Annual Conference and Internet Freedom Meet (IFM) 2025, i cili po mbahet në Prishtinë, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte i ftuar në diskutimin rajonal mbi keqpërdorimin e inteligjencës artificiale (AI) në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi: nga imitimi deri te dhuna digjitale.

Gjatë panelit u diskutua mbi mënyrat se si inteligjenca artificiale përdoret për mashtrime, imitime dhe dhunë seksuale të lehtësuar nga teknologjia, si dhe masat që duhet të ndërmerren për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e përdoruesve në një kontekst global të rrezikut dhe keqpërdorimeve digjitale.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në të gjitha nivelet – lokal, organizativ, nacional, rajonal dhe global – për të krijuar sisteme të zgjuara dhe të decentralizuara, që mund të bashkëveprojnë në mënyrë efikase dhe të sigurojnë mbrojtje nga kërcënimet digjitale:

“Ne duhet të punojmë së bashku në të gjitha nivelet dhe të krijojmë një aleancë globale për t’u përballur me kërcënimet e inteligjencës artificiale. Institucionet duhet të kenë kapacitete dhe sisteme të decentralizuara, të ndërveprojnë pa vonesa dhe të ndërtojnë besim, për të menaxhuar këto zhvillime teknologjike në mënyrë efikase”, theksoi Rektori Hajrizi.

Ai gjithashtu nënvizoi sfidat dhe mundësitë që paraqet AI për Kosovën:

“Ne po ecim shpejt drejt identifikimit të përmbajtjes së gjeneruar nga AI dhe jemi duke punuar për të rritur transparencën e këtyre zgjidhjeve, duke e studiuar dhe analizuar procesin nga pikëpamja kërkimore”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Paneli, i moderuar nga Aida Mahmutović, Menaxhere e Projektit për të Drejtat Digjitale në BIRN Kosovo, solli ekspertë dhe aktivistë nga rajoni dhe jashtë tij, duke përfshirë: Snežana Nikčević, Civic Tech Advocate, NGO 35mm, Mali i Zi; Alba Brojka, Eksperte e Teknologjisë dhe Politikave Digjitale, Shqipëri; Feđa Kulenović, Universiteti i Sarajevës (pjesëmarrje online).

Ky panel u zhvillua në kuadër të konferencës vjetore të IFM 2025, ku morën pjesë gjithashtu Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zyrtarë të BE-së dhe liderë lokalë, duke ofruar një platformë të rëndësishme për dialog mbi të drejtat digjitale, sigurinë online dhe përgjegjësitë e institucioneve në epokën e transformimit digjital.

Exit mobile version