UBT News

Rektori Hajrizi merr pjesë në Forumin Ekonomik të Brezovicës 2025

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë dhe prezantoi në Forumin Ekonomik të Brezovicës 2025, një ngjarje e rëndësishme e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me WB6 CIF, e cila bëri bashkë figura të rëndësishme të ekonomisë, institucioneve ndërkombëtare dhe sektorit akademik nga i gjithë rajoni.

Rektori Hajrizi ishte pjesë e diskutimeve rreth “EU integration opportunities”, paneli i cili trajtoi temat kyçe të integrimit ekonomik rajonal dhe afrimit me tregun e përbashkët evropian, me fokus të veçantë në mundësitë për bizneset dhe institucionet që të bëhen pjesë e zinxhirëve të vlerës së BE-së.

Gjatë prezantimit të tij, Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e arsimit të lartë, inovacionit dhe kërkimit shkencor si shtylla kryesore për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor. Ai prezantoi rolin e UBT-së në krijimin e ekosistemeve të inovacionit, zhvillimin e kompetencave të avancuara digjitale dhe nxitjen e ndërmarrësisë, duke theksuar se institucionet e arsimit të lartë janë ndër akterët kryesorë që mund të përshpejtojnë integrimin e rajonit në tregun evropian.

Rektori Hajrizi gjithashtu nënvizoi se transformimi digjital, zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe bashkëpunimi ndër-sektorial janë elemente kyçe që do t’i mundësojnë rajonit të jetë konkurrues në ekonominë moderne dhe të shfrytëzojë maksimalisht programet dhe iniciativat e BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Exit mobile version