Pas dy ditëve pushim pas barazimit në Majorka, ekipi i Real Madridit ka rinisur stërvitjet me një ritëm të lartë. Pjesë e kësaj seance të veçantë ishte edhe një surprizë për lojtarët, përfshirë yllin Kylian Mbappé.
Antonio Pintus, përgatitësi atletik i Realit të Madridit, ka luajtur një rol kyç në seancën e fundit stërvitore që skuadra ka zhvilluar në Valdebebas. Pintus ka implementuar një test të ri fizik me një intensitet të lartë, që përfshin përdorimin e maskave të hipoksisë.
Maskat e hipoksisë janë një mjet i avancuar që ndihmon në simulimin e kushteve të stërvitjes në lartësi të madhe. Ato vendosen mbi gojë dhe hundë, duke rregulluar sasinë e oksigjenit që hyn në trup dhe duke matur parametra të rëndësishëm si rrahjet e zemrës dhe gjendjen e përgjithshme fizike të lojtarëve. Ky lloj testi ndihmon në krijimin e kushteve të ngarkuara dhe të vështira, duke imituar efektet e një seance stërvitore me shpejtësi të madhe.
“Me këto teste, mund të individualizoj punën për sezonin, ky është objektivi im,” shpjegoi Pintus në “Real Madrid TV”. Ai shtoi se maskat do të kthehen në përdorim në mars të vitit të ardhshëm për të monitoruar progresin e lojtarëve dhe për të përcaktuar nëse është e nevojshme të vazhdohet me punën aerobike ose të fokusohemi në sprint dhe përshpejtime.
Maskat e oksigjenit, të cilat janë bërë të njohura për përgatitësin fizik të Realit, kanë kaluar kufijtë e Madridit dhe janë njohur për ndikimin e tyre pozitiv në performancën e lojtarëve gjatë sezonit. Pintus ka qenë i fokusuar në përdorimin e këtyre maskave për të maksimizuar potencialin fizik të skuadrës dhe për të arritur rezultate të shkëlqyera në kampionat./UBTNews/