UBT News

Reagon Dua Lipa, e tmerruar nga komentet homofobike të reperit DaBaby

Ylli i muzikës pop, Dua Lipa, ka reaguar pas komenteve homofobike të reperit DaBaby, me të cilin e ka realizuar hitin e suksesshëm,“Levitating”, duke thënë se është e befasuar dhe e tmerruar nga fjalët që reperi kishte thënë gjatë performancës së tij në festivalin “Rolling Loud” në Miami.

DaBaby, emri i vërtetë i së cilit është Jonathan Kirk, po merr kritika të shumta online rreth disa komenteve që i kishte bërë në koncert gjatë fundjavës, me ç’rast në skenë e kishte ofenduar komunitetin e homoseksualëve dhe të gjithë personat HIV pozitiv.

Reperi në përpjekje për të nxitur brohoritje nga audienca e tij kishte thënë: “Nëse nuk keni ardhur këtu sonte me virusin HIV dhe sëmundjen SIDA, ndizni dritat e telefonit”, duke vazhduar tutje me komente tjera ku përmendeshin pjesët intime të grave dhe duke iu drejtuar burrave që nuk janë homoseksual, që të brohorisin për të.

Nga e diela, kur reperi i bëri këto komente kontroverse, sidomos në këtë kohë kur publiku online di të tregohet shumë i ashpër ndaj artistëve, DaBaby ka pranuar kritika të shumta nga përfaqësues të komunitetit LGBTQ, organizata të ndryshme por edhe persona nga komuniteti i artistëve.

Një prej tyre është edhe Dua Lipa, e cila e kishte përfshirë reperin në remixin e hitit të vitit 2020, “Levitating”, me ç’rast përmes një postimi në “Instagram Story” ka deklaruar: “Jam e befasuar dhe e tmerruar nga komentet e DaBaby. Unë vërtetë nuk po e njoh këtë person me të cilin kam punuar. E di që adhuruesit e mi e njohin atë që e kam në zemër dhe që jam 100 për qind përkrahëse e komunitetit LGBTQ. Ne duhet të bëhemi bashkë për t’i luftuar stigmat dhe injorancën e personave të caktuar rreth virusit HIV dhe sëmundjes SIDA”.

Në anën tjetër, organizata bamirëse britanike e cila i del në ndihmë të gjithë personave të prekur me virusin HIV, “Terrence Higgins Trust”, i është përgjigjur komenteve të reperit të njohur amerikan duke thënë se “ai e ka përjetësuar stigmën dhe diskriminimin ndaj personave HIV pozitiv, si dhe ka përhapur dezinformata në lidhje me këtë virus”.

DaBaby i ka mbrojtur veprimet e tij përmes 19 videove të realizuar në “Insta Story” dhe të postuara gjatë ditës së martë, ku ndër të tjera ka deklaruar: “Ajo që unë e bëjë dhe them në koncertet e mia live, janë vetëm për publikun e pranishëm në sallë. Fjalët e mia nuk mund të tingëllojnë në mënyrën e duhur, nëse dikush i dëgjon ato përmes klipeve disa pjesësh në telefonin e tyre mobil”.

Tutje reperi vazhdoi duke thënë se personat që nuk kanë qenë të pranishëm në koncert, duhet ta mbyllin gojën dhe të mos komentojnë fare.

Ejani dhe ndiqni performancat e mia live, pavarësisht nëse jeni vrasës, homoseksual apo heteroseksual”.

Por kishte edhe artistë të cilët i dolën në mbrojtje yllit DaBaby. Një prej tyre është reperi kontrovers T.I., i cili i krahasoi komentet e kolegut të tij me lirinë e këngëtarit Lil Nas X për ta shfaqur hapur seksualitetin në muzikën e tij.

DaBaby megjithëkëtë përfundoi duke kërkuar falje publike në rrjetin social Twitter, me ç’rast deklaroi: “Çdo kush që është i prekur nga virusi HIV apo sëmundja SIDA, ka të drejtë të mërzitet, sepse ajo që e kam thënë ishte e pandjeshme, ani pse asnjëherë nuk kam për qëllim ta ofendojë dikë. Prandaj, ju kërkojë falje. Por komuniteti LGBTQ… unë nuk merrem me ju. Ajo çka ju bëni, është puna juaj”.

Në një postim të fundit, reperi i kritikoi artistët, markat, kompanitë dhe grupet tjera që u pëlqen të përfitojnë nga ndikimi i reperëve afrikano-amerikan në kulturë, pa i kuptuar ata.

Tutje DaBaby i ftoi fansat t’i ndjekin koncertet e tij të ardhshme, duke u bërë thirrje që të qetësohen, relaksohen dhe të jenë krenarë me vetveten, sepse askush nuk mund ta bëjë atë të ndihet keq me veten.

Exit mobile version