Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me UBT, organizoi një takim të veçantë me studentë, i cili u fokusua në prezantimin e librit me rëndësi të madhe dokumentuese “Zëra të Padegjura – rrëfimet e burrave mbi tejkalimin e dhunës seksuale në luftë”.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët u njohën nga afër me rrëfimin e Ramadan Nishorit, i cili njihet si i mbijetuari i parë burrë që ka folur publikisht për përvojën e tij dhe që ka ndarë historinë personale në librin “Përtej Dhimbjes, Drejt Guximit”. Ai tregoi rrugëtimin e tij nga plagët e së kaluarës drejt forcës, shërimit dhe shpresës, duke sjellë një perspektivë të rëndësishme mbi stigmat që shpesh e shoqërojnë këtë temë.
Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e dokumentimit të përvojave të të mbijetuarve, si një mënyrë e domosdoshme për të ruajtur kujtesën historike, për të ndriçuar të vërtetën dhe për t’i dhënë zë atyre që për dekada janë mbajtur në heshtje. Studentët patën mundësinë të kuptojnë më thellë dimensionet emocionale, sociale dhe njerëzore të këtyre rrëfimeve.
Aktiviteti u mbështet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, duke dëshmuar rëndësinë ndërkombëtare të përpjekjeve për adresimin e traumave të luftës dhe mbështetjen e të mbijetuarve.
