Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një takim në Seul me kryeministrin e Republikës së Koresë, Kim Minseok, ku në qendër të diskutimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe zgjerimi i bashkëpunimit mes dy vendeve.
Përmes një njoftimi, Rama bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Koresë së Jugut, si dhe për ngjashmëritë historike të dy kombeve.
Sipas kryeministrit shqiptar, palët u fokusuan veçanërisht në forcimin e bashkëpunimit në sektorët e teknologjisë, Inteligjencës Artificiale dhe turizmit.
Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së Ramës në Korenë e Jugut, ndërsa të dy liderët vlerësuan rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve dhe krijimit të mundësive të reja për bashkëpunim ekonomik dhe inovacion.
