Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama njoftoi se Festivali Sunny Hill do të mbahet në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht.
Rama shkroi në Facebook të hënën se Qeveria e Kosovës, Komuna dhe Sunny Hill “bashkuan forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë”.
“Institucionet qëndrore dhe lokale bashkarisht, sipas mandatit që kanë do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm. Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Synimi i përbashkët është që nga viti i ardhshëm, festivali Sunny Hill të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë”, shkroi ai mes tjerash në Facebook.
Rama po ashtu njoftoi se një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht.
Sa i përket Prishtinës, ai njoftoi se Sunny Hill Festival për këtë vit ka përgatitur lineup-in më të fuqishëm nga festivalet e rajonit ku përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botërorë./UBTNews/