Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konsultimin publik për projektligjin e amnistisë fiskale, pas aprovimit të idesë së saj nga publiku në Këshillimin e Parë Kombëtar, renditi disa nga arsyet se përse duhet të bëhet tani kjo amnisti.
“I kujtoj të gjithëve, veçanërisht partnerëve tanë ndërkombëtarë që bota është në luftë dhe Shqipëria është pjesë e kësaj lufte. Ndryshe nga shumë vende të tjera Shqipëria ka marrë një vendim me një kosto shumë të lartë, një kosto e cila nëse lufta zgjat përtej një limiti të caktuar mund të bëhet tërësisht e papërballueshme. Ky vendim është që fatura e energjisë, që sot në tregun ndërkombëtar po i afrohet 500 eurove për megavat nga 50-60 euro që ishte para kësaj krize, të mos reflektohet në faturën e energjisë së familjeve dhe të biznesit të vogël. Nga dalin këto para? Ndërkohë që ne jemi shumë të vetëdijshëm që paketa jonë e parë e mbështetjes për ata më të prekurit nga inflacioni nuk ka zgjidhur të gjithë hallin, një hall që vazhdon ndërkohë që paketa ka përfunduar”, tha Rama.
Po ashtu, kryeministri theksoi se ideja e amnistisë është një ide shumë e vjetër, jo e re dhe asnjëherë nuk është materializuar si duhet nga një presion i caktuar i brendshëm dhe i jashtëm që besoj ka pasur arsye që sot nuk ekzistojnë më.
“Shqipëria në atë kohë kur janë provuar të bëhen amnistitë e tjera nuk ka qenë e strukturuar si sot. Sot Shqipëria ka në vend një sërë strukturash që me efikasitet mund të garantojnë zbatimin e amnistisë fiskale. Amnistinë e kemi menduar që ditën e parë që kemi ardhur në qeveri 9 vjet të shkuara, por nuk e kemi propozuar se ishim të vetëdijshëm se ishte një ide që nuk i kishte ardhur koha, ashtu si edhe për ligjin për kanabisin mjekësor”, tha Rama.
Ai theksoi se “propozimin e parë e kemi bërë pasi na ra një gjëmë e madhe në kokë, si tërmeti”.
“Ne kemi bërë një punë 3-vjeçare dhe prandaj e shtymë këtë proces dhe pse do ta kishim pasur shumë më të lehtë të merrnim votat në parlament atë kohë, sepse e para gjithë ngrehina ligjore kundër pastrimit të parave nuk ishte akoma e ngritur. Sot e kemi të ngritur të gjithën. E dyta, strukturat e reja të drejtësisë nuk ishin akoma të ngritura, sot janë të ngritura. Procesi i fiskalizimit nuk ishte akoma i ngritur, sot është”, shtoi Rama.