UBT News

Rama: Serbia mban përgjegjësinë kryesore për ngecjen e dialogut me Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Serbia mban përgjegjësinë kryesore për ngecjen e dialogut me Kosovën, duke theksuar se Beogradi ende nuk e ka pranuar realitetin e krijuar me ekzistencën e Republikës së Kosovës.

Në një intervistë për Euronews Serbia, Rama u shpreh se problemi kryesor qëndron te refuzimi i Serbisë për të pranuar ndryshimin e realitetit politik në rajon.

“Serbia është më përgjegjësja për situatën në dialog, sepse nuk është e gatshme ta pranojë realitetin. Nuk ekziston më diçka që quhet ‘Kosova dhe Metohia’; ekziston Republika e Kosovës”, deklaroi ai.

I pyetur për faktin se pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Rama tha se kjo nuk e ndryshon realitetin.

“Pesë nga 27 janë ende pak. Shumica dërrmuese e vendeve e kanë pranuar realitetin. Edhe shqiptarët, sikurse kombet e tjera të ish-Jugosllavisë, kishin të drejtën e vetëvendosjes”, u shpreh kryeministri shqiptar.

Sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Rama shmangu komentet direkte për qëndrimet e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

“Unë kam një rregull që e respektoj gjithmonë: nuk flas kurrë për opozitën time në një gjuhë të huaj. Mos më kërkoni të them në një gjuhë të huaj gjëra që kanë të bëjnë me Albin Kurtin dhe me vëllezërit e motrat e mia në Kosovë”, tha ai.

Në fund, Rama theksoi se Serbia, si shteti më i madh në rajon, duhet të përballet me të kaluarën dhe të pranojë realitetin e ri.

“Sipas mendimit tim, sa më shpejt që Serbia ta pranojë se ekziston një realitet i ri, aq më mirë do të jetë për vetë Serbinë”, përfundoi ai./A.K/

Exit mobile version