Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar zyrtarisht se samiti i radhës i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë, duke hedhur poshtë të gjitha zërat dhe raportimet e fundit që ngrinin dyshime mbi këtë organizim.
Përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale nga Ankaraja, ku po mbahet samiti i sivjetmë i aleancës veriatlantike, Rama ka ironizuar me skeptikët dhe ka theksuar se ka perënduar koha kur të tjerët vendosnin për vendin. “Po si thanë që samiti nuk do të bëhet në Shqipëri? Kështu thanë, ë? Epo, ka ikur ajo kohë kur të tjerë bënin ç’të donin me Shqipërinë. Tash, Shqipëria bën atë që thotë dhe thotë atë që bën… kështu që samiti i ardhshëm do të jetë në Tiranë”, deklaroi Rama.
Përveç kreut të qeverisë shqiptare, mbajtjen e samitit në Shqipëri e ka konfirmuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Ky reagim i prerë vjen pasi një javë më parë agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi se organizimi i kësaj ngjarjeje të madhe në Tiranë ishte në pikëpyetje. Sipas asaj periudhe, dyshimet lidheshin me shpenzimet e ulëta për mbrojtjen nga disa vende anëtare dhe synimin e aleancës për të shmangur një përplasje të mundshme me presidentin amerikan, Donald Trump. Sidoqoftë, me konfirmimet e fundit nga samiti i Ankarasë, Tirana mbetet zyrtarisht nikoqirja e radhës e liderëve të NATO-s. /E.A/
