Në finalen e Festivalit Kombëtar të Shkencës, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama theksoi se qeveria po punon për rritjen e ndjeshme të financimeve për start-upet dhe për mbështetjen e të rinjve me potencial në fushën e inovacionit.
Ai u shpreh se synimi është krijimi i një sistemi të qëndrueshëm mbështetës për projektet e reja, duke përfshirë edhe financime për ide që janë ende në fazat fillestare, por që mund të zhvillohen në të ardhmen. Rama gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me universitetet dhe shkollat e mesme, me qëllim rritjen e kapaciteteve për zhvillimin e projekteve dhe aksesimin e fondeve të Bashkimit Evropian.
Në përfundim të festivalit, vendin e parë e fitoi shkolla e mesme “Zhani Ciko” në Patos me një projekt inovativ që lidhet me rëndësinë e bletëve dhe ndërthurjen e teknologjisë me natyrën, i vlerësuar për qasjen kreative dhe mesazhin për mbrojtjen e mjedisit.
