Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përsëritur akuzat ndaj opozitës, duke deklaruar se protestat e shoqëruara me akte dhune nuk përfaqësojnë studentët dhe aspiratat e tyre. Të premten në mëngjes, Rama ka qëndruar pranë një kioske të djegur dhe të dëmtuar gjatë protestave të një dite më parë.
Ai ka theksuar se, sipas tij, protestat nuk lidhen drejtpërdrejt me problemet apo kërkesat legjitime të qytetarëve, por janë pjesë e një agjende tjetër, për të cilën ka fajësuar opozitën.
Kreu i qeverisë u ka bërë thirrje qytetarëve për durim dhe qëndresë përballë dhunës, ndërsa ka pranuar se qytetarët përballen me probleme konkrete, të cilat, sipas tij, do të trajtohen nga institucionet.
“Si mund të jenë studentët? Si mund të jetë investimi i prindërve tek fëmijët e tyre kjo gërmadhë? Kjo nuk ka lidhje fare me studentët. E gjithë kjo flamë nuk është flamë studentore”, ka deklaruar Rama në një video të publikuar në Facebook.
Ai ka pretenduar se protestat po shfrytëzohen nga aktorë që synojnë destabilizimin e vendit dhe pengimin e përparimit të Shqipërisë.
Rama e ka cilësuar gjithashtu si jo të rastësishme kohën e protestave, duke e lidhur atë me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, pas mbylljes së një kapitulli në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“E gjithë kjo që po ndodh nuk është rastësi”, ka theksuar ai.
Në deklaratën e tij, kryeministri ka shprehur shqetësimin për përfshirjen e të miturve në protestë, duke i akuzuar organizatorët se po i nxisin ata të përdorin maska, të dëmtojnë infrastrukturën publike dhe të përplasen me Policinë. Ai ka pretenduar gjithashtu se, përveç opozitës, pas protestave qëndrojnë edhe aktorë të huaj që, sipas tij, nuk e duan Shqipërinë të qetë dhe në rrugën drejt integrimit evropian.
Ndërkohë, protestat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe Policisë, si dhe me djegie e dëmtime të pronës publike dhe private. Forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmave dhe rikthimin e rendit.
Ndërkaq, 16 personat e arrestuar pas protestës së 13 tetorit pritet të dalin para Gjykatës së Tiranës, ku do të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj tyre.
D.L
