UBT News

Rama për projektin në Zvërnec: “Do të realizohet pavarësisht kundërshtive”

Protestat e zhvilluara gjatë javës së fundit në Shqipëri dhe projekti i planifikuar në Zvërnec kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, ndërsa kryeministri Edi Rama ka vijuar të mbrojë publikisht nismën që ka shkaktuar debat të gjerë.

Në një intervistë për Al Jazeera, kreu i qeverisë deklaroi se projekti, me vlerë miliarda dollarë, do të realizohet pavarësisht kundërshtive dhe spekulimeve që qarkullojnë. Sipas tij, investimi përfaqëson një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.

Rama hodhi poshtë pretendimet se qeveria po shet ose po transferon pronë publike te investitorët privatë, duke theksuar se bëhet fjalë për një marrëveshje mes palëve private dhe se qeveria shqiptare nuk është palë në proces.

“Sa i përket projektit që ka shkaktuar gjithë këtë reagim dhe polemikë në mbarë botën, bëhet fjalë për pronë private. Nuk bëhet fjalë për tokë publike që qeveria shqiptare po e jep duke e shitur vendin. Është pronë private. Është një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, në të cilën qeveria shqiptare nuk ka asnjë rol”, deklaroi kryeministri.

Komentet e Ramës vijnë në një kohë kur projekti në Zvërnec mbetet në qendër të debatit publik, duke nxitur reagime nga aktivistë, banorë dhe organizata të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Diskutimet rreth ndikimit ekonomik, mjedisor dhe social të investimit vazhdojnë të dominojnë hapësirën publike, ndërsa qeveria këmbëngul se projekti do të sjellë përfitime afatgjata për Shqipërinë.

 

Exit mobile version