Kryeministri Edi Rama ftoi sot opozitën t’i bashkohet në hapjen e dyerve të shtëpive dhe apartamenteve për mijëra familje deri në 26 nëntor, ndërsa theksoi se “çështjes së tërmetit t’i rrini larg shumë, se bëheni shumë qesharak, kur flisni për një nga ndërmarrjet më të mëdha që do të mbetet në histori”.
Në fjalën e tij në Kuvend, duke iu përgjigjur akuzave të deputetit të Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferri, kryeministri Rama tha se “u ndjeva i detyruar të ndërhyj sepse realisht çdo njeri ka të drejtën të gabojë, por të këmbëngulësh në gabim është djallëzore”.
“E ngritët me furi një uturi shpifjesh edhe kauzash dhe bëtë edhe një gjest digjital këtu. Me siguri ju keni qenë të zënë me pasionin tuaj për të përmirësuar cilësinë e diellit dhe nuk keni vënë re në ndërkohë mes angazhimeve tona për të adresuar pasojat e tërmetit dhe afateve të vendosura ka ndodhur diçka që ka tronditur gjithë botën zoti Xhaferri, pandemia. Ju kujtoj që kanë qenë muaj të tërë në të cilët kantieret janë bllokuar dhe detyrimisht edhe afatet do të shtyheshin”, nënvizoi Rama.
Por, vijoi Rama, ajo që më shqetëson më shumë nuk është ky aspekt, është aspekti tjetër, mbi çfarë baze i ngrini këto akuza e flisni për babëzi e makutëri, keni ndonjë shifër, ndonjë fakt, mbi çfarë baze.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se shkollat kanë standarde, kritere, preventiva, janë zhvilluar si proces ndërtimi me gara.
“Garat kanë dosje dhe mbi të gjithë këto fakte mund të bëhen edhe qëmtime hulumtime edhe investigime dhe pastaj mund të nxirren konkluzione profesionale, jo si mjek popullor apo si akrobat popullor cirku. Është shumë e shëmtuar që gjithë kjo përpjekje të përbaltet në këtë farë feje pa asnjë lloj baze”, shtoi Rama.
Siç tha dhe Ahmetaj, u shpreh Rama, shkollat janë aty, krah për krah me shkollat që keni ndërtuar ju dhe kontrasti është i njëjti, si kontrasti mes të sotmes dhe mesjetës, me thënë të drejtën.
“Natyrisht që në këtë aspekt nuk matemi me ju, se nuk mund të matet cilësia e diellit me errësirën, por pa diskutim që me shumë vëmendje do ta mirëprisnim çdo lloj fakti e argumenti, jo dokrra e të shara prej të dehuri në klub, por fakte dhe argumente. Zotrote thua se qenkan fshirë sheshet për të fshehur gjurmët. Cilat gjurmë?”, tha Rama.
Më tej, Kryeministri Rama vuri në dukje se “godinat e prishura kanë historikun e tyre dhe historiku i tyre është vlerësuar nga organet kompetente dhe nuk ka pasur nevojë për të mbajtur gërmadhat me muaj e vite. Ndryshimi mes nesh dhe jush është se juve sytë iu janë imunizuar prej shumë vitesh nga plehrat, nga shëmtia, deformimi se ndryshe nuk do ishit krenarë pa kthim për gjithë masakrën urbane që keni lejuar e promovuar si një mrekulli të tetë të botës”.
“Në kohën kur ju qeverisnit duhej dalë me duar në hundë dhe duart në sy për të mos parë e mos marrë erë. Kjo është karakteristikë e qeverisjes suaj, e këtu nuk kemi çfarë diskutojmë se kemi një konflikt estetik”, shtoi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se “numri i familjeve, të cilat sot gëzojnë shtëpitë është i madh dhe do të rritet në javët e këtij muaji dhe ju ftoj ju z. Xhaferri të na bashkoheni në hapjen e dyerve të shtëpive dhe apartamenteve për mijëra familje deri në 26 nëntor që bëhen edhe dy vjet nga tërmeti. Ku do shikoni me sytë tuaj se si në Ishëm psh , por jo shumë larg Durrësit është Thumana, Fushë-Krujë, Laçi, Bubqi, po mos përtoni ju mund të vini me ne në Lezhë, Tiranën ja ku e kemi, shkojmë bashkë tek “5 Maji”, t’i shikoni me sytë tuaj se ka shumë gjëra që mund të flisni, të kritikoni, të ngrini pretendime, por për këtë çështjen e tërmetit t’i rrini larg shumë, se bëheni shumë qesharak, kur flisni për një nga ndërmarrjet më të madha që do të mbetet në histori, pasi sot e kësaj dite në Itali, që është vend i G20 sot njerëzit janë në rulota pas 15, 12 apo 9 vjetësh”.
Rama u shpreh më tej se “afatet spostohen si rezultat i pandemisë që hyri në mes i bllokimit të kantiereve që ishin të detyruar jo se i imponuam ne”.
“Asnjë familje që do të kthehet në shtëpi, nuk është sot dhe nuk do të jetë nesër në shtëpinë e re më keq, do jetë më mirë seç ishte. Gjithë ajo krizë është kthyer në një mundësi më të mirë”, tha Rama./Atsh