UBT News

Rama në Samitin e Tiranës: Plani i Rritjes është moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij hyrëse në Samitin BE–Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes, që po zhvillohet në Tiranë, e ka cilësuar këtë proces si një moment vendimtar si për rajonin, ashtu edhe për Bashkimin Evropian.

Ai vlerësoi se Plani i Rritjes përfaqëson një qasje të re të integrimit gradual, e cila i bashkon vendet e rajonit rreth tri shtyllave kryesore: reformave, konvergjencës ekonomike dhe kohezionit rajonal.

Rama tha se, ndonëse vitet e fundit është shënuar progres në afrimin ekonomik mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Sipas tij, qytetarët e rajonit nuk duhet të presin anëtarësimin e plotë për të ndjerë përfitimet e integrimit në tregun e përbashkët evropian, por duhet t’i gëzojnë ato gradualisht që tani.

Duke theksuar se mbështetja financiare e BE-së kushtëzohet drejtpërdrejt nga rezultatet konkrete, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se rajoni duhet të jetë i gatshëm të zbatojë reformat e kërkuara.

“Mblidhemi këtu për Planin e Rritjes, në një takim që vlen për të vlerësuar progresin dhe për të parë sfidat që kemi përpara. Nuk ka dyshim se ky është një moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor. Nuk ka aspak dyshim se është një moment tejet vendimtar edhe për Europën. Ne kemi qenë entuziastë për nisjen e këtij procesi të ri, që në njëfarë mënyre vuri në lëvizje qasjen e re të integrimit gradual dhe që na mbledh bashkë në tri dimensione: reformat, konvergjenca ekonomike dhe kohezioni rajonal”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se marrëdhënia me Bashkimin Evropian bazohet në rezultate të matshme dhe angazhim të ndërsjellë.

“Jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk është e mirëqenë dhe se BE-ja është po aq e prirur të na ndihmojë, sa ç’është e prirur të na bjerë me çekiç kokës që të japim rezultate dhe të bëjmë reforma. Është një marrëdhënie ku progresi sjell më shumë pjesëmarrje dhe gatishmëria sjell më shumë mundësi”, përfundoi ai. /E.A/

 

Exit mobile version