Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur optimist se nga takimi i sotëm i Komunitetit Politik Evropian do të ndërtohet diçka e rëndësishme për të gjithë komunitetin evropian.
Pas mbërritjes në samitin e Pragës, Rama tha se ideja e Komunitetit Politik Evropian nuk është e re, por po rilind në kohë krize.
“Sigurisht, nuk është një ide e re, është një ide shumë e vjetër, por rilind kur ka kohë krize dhe shpresoj se nuk do të ketë nevojë për një krizë tjetër për të pasur një tjetër takim të tillë. Por nga ky takim ne do të vazhdojmë dhe do të ndërtojmë diçka shumë të rëndësishme për të gjithë komunitetin e madh evropian të vendeve dhe njerëzve”, tha ai.
Rama nënvizoi se Shqipëria gjendet në një rajon që kufizohet me Bashkimin Evropian dhe sipas tij është thelbësore që duke mos qenë në BE, por në Evropë të jemi në linjë të njëjtë me unionin.
“Shqipëria është pjesë e rajonit që është Ballkani Perëndimor i rrethuar nga kufijtë e BE-së siç i dini dhe për ne është absolutisht thelbësore që duke mos qenë në BE, por duke qenë Evropian pa qenë në Union, të jemi me ju”, shtoi Rama.
Në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian po marrin pjesë 27 vende të Bashkimit Evropian dhe 17 vende të tjera evropiane, përfshirë edhe Kosovën. Ky samit është një iniciativë e presidentit francez, Emanuel Macron.