Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tashmë ka mbërritur në Budapest, ku do ta realizojë një vizitë dy ditore.
Në një publikim në rrjetin social “Facebook”, Rama ka shkruar se vizitën në Hungari po e realizon me ftesë të kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
“Me ftesë të kryeministrit Viktor Orbán, për një vizitë pune mbi bashkëpunimin bilateral në ekonomi, shëndetësi, arsim dhe për ecurinë e integrimit europian të Shqipërisë, ku Hungaria është historikisht një mbështetëse e palëkundur”, shkruan Rama në llogarinë e tij.
Në media është raportuar se Rama pas Hungarisë, pritet ta vizitojë edhe Bullgarinë. I njëjti, në Shqipëri pritet të kthehet të mërkurën, më 9 qershor, kur do të mbahet seanca e Parlamentit për shkarkimin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Ndërkohë sot për një vizitë zyrtare në Shqipëri po qëndron kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka zhvilluar takime me kryeparlamentarin Ruçi, presidentin Meta dhe kryetarin në detyrë të PD-së, Basha. Rama është i vetmi përfaqësues i lartë institucional me të cilin nuk do të zhvillojë takim Konjufca.