UBT News

Rama: Kosova ka gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se Qeveria e Kosovës ka të gjithë solidaritetin, mirëkuptimin dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare.

Rama gjatë prezantimit të projektit të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano nga studio holandeze “Royal Haskoning DHV”, përshëndeti Kurtin për të cilin tha se nuk kishte mundësi të marrë pjesë në këtë prezantim për arsye angazhimesh.

“Në rastin e kryeministrit të Kosovës e merrni vet me mend që pa mundësia është e lidhur me situatën e krijuar së fundmi në veriun e Kosovës, situatë në të cilën qeveria e Republikës së Kosovës dhe Republika e Kosovës kanë të gjithë solidaritetin, mirëkuptimin dhe mbështetjen e qeverisë sonë dhe të Republikës së Shqipërisë”, tha ai.

Rrugët në drejtim të kufijve Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të mbeten të bllokuara, ndërsa raportohet se mësimi në shkollat fillore dhe të mesme në katër komunat veriore të Kosovës sot nuk po mbahet.

Po ashtu, dyqanet në veri të Mitrovicës këtë mëngjes janë parë të mbyllura.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke iu ofruar siguri dhe rend të gjithëve pa dallim.

Exit mobile version