Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i hapë rrugën Kosovës drejt statusit të vendit kandidat, duke e cilësuar këtë hap si një nevojë urgjente për rajonin.
Gjatë punimeve të samitit për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Tiranë, Rama ka shfrytëzuar praninë e përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së për të kërkuar mbështetje konkrete për Kosovën.
“Dua të shfrytëzoj rastin nga prania e shumë përfaqësuesve këtu të vendeve anëtare të BE-së, për të nënvizuar nevojën urgjente për t’u hapur drejt statusit të kandidatit për Kosovën, sepse është shumë i nevojshëm”, ka deklaruar Rama.
Ai ka theksuar se kjo kërkesë do të jetë temë e përhershme në çdo takim që ai dhe përfaqësuesit e Kosovës do të zhvillojnë me zyrtarët e vendeve anëtare të unionit. Sipas Ramës, lënia e Kosovës jashtë këtij procesi është e pakuptimtë në rrethanat aktuale gjeopolitike.
“Ne mendojmë që nuk ka asnjë kuptim që Kosova të lihet jashtë procesit, ndonëse statusi i kandidatit nuk do të thotë anëtarësim automatikisht, por do të thotë që BE-ja është serioze kur vjen puna te riangazhimi në kohë kaq të vështira dhe të trazuara”, ka përfunduar kryeministri shqiptar. /E.A/
