Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shkruar Facebook se Guri i Kamjes është një monument ku natyra ka skalitur gjithë talentin e saj.
“Guri i Kamjes, një monument ku natyra ka skalitur gjithë talentin e saj për të qenë edhe një prej destinacioneve turistike malore më të veçanta të Pogradecit”, shkruan Rama.
Guri i Kamjes, me lartësi 1461 metra mbi nivelin e detit ndodhet në kufirin midis Malësisë së Mokrës në Pogradec dhe asaj të Gorës të rrethit të Korçës.
Shkëmbinjtë ranorë, më të qëndrueshëm ndaj gërryerjes, i kanë shpëtuar sheshimit duke u ngritur mbi zonën përreth si një ishull, në të cilin agjentët e ndryshëm atmosferikë (shiu, bora, era etj), kanë gdhendur forma të shumëllojshme mikrorelievi.
Distanca nga Pogradeci deri në Gurin e Kamjes është 12,7 km me automjet dhe 2,7 km të tjera janë shtigje shëtitjeje.