UBT News

Rama fton investitorët japonezë në projektin e hekurudhës Durrës–Prishtinë: Ka rëndësi strategjike edhe për NATO-n

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur në një takim një përfaqësi të gjerë të sipërmarrjes japoneze, me të cilët ka diskutuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe investimet strategjike, me fokus të veçantë te projekti i hekurudhës Durrës–Prishtinë, raporton RTSH.

Gjatë takimit, Rama bëri të ditur se Shqipëria dhe Kosova janë të gatshme të mirëpresin përfshirjen e partnerëve japonezë në këtë projekt infrastrukturor, duke theksuar se kjo linjë hekurudhore, e cila përmes Nishit lidhet me rrjetin e Evropës Qendrore, ka rëndësi të dyfishtë: ekonomike dhe të sigurisë.

“Së bashku me kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Evropën Qendrore. Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë të madhe për NATO-n, për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100 për qind për veprimtaritë ushtarake dhe ato të Aleancës. Ky mund të jetë një investim shumë interesant”, deklaroi Rama.

Kryeministri shqiptar i ftoi përfaqësuesit e biznesit japonez që ta shqyrtojnë këtë projekt strategjik, duke rikonfirmuar gatishmërinë e plotë të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës për të bashkëpunuar me çdo partner nga Japonia drejt realizimit të tij. /E.A/

 

Exit mobile version