Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me strukturat e Policisë së Shtetit, i ka cilësuar protestat e ditëve të fundit si një “valë dhune” që nuk ka asnjë lidhje me kërkesat legitime apo me parimet e një shoqërie demokratike.
Sipas kreut të qeverisë, personat që po përfshihen në akte dhune dhe shkatërrime nuk mund të konsiderohen studentë. Rama theksoi se kjo lëvizje nuk është një revoltë për arsimin, duke e bërë të qartë dallimin mes studentëve që protestuan paqësisht për kërkesat e tyre universitare dhe grupeve të maskuara që përdorin dhunën. Ai akuzoi organizatorët se po përdorin të mitur të moshave 13-14 vjeçare në vijën e parë të përplasjeve me qëllim provokimin e një incidenti tragjik.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri përgëzoi forcat e policisë për vetëpërmbajtjen dhe profesionalizmin e treguar përballë sulmeve. Si mbështetje konkrete për efektivët e angazhuar në terren, Rama njoftoi se secili prej tyre do të përfitojë menjëherë një shpërblim prej 2.500 eurosh, ndërsa bëri të ditur se nga 1 janari i vitit 2027 do të ketë edhe një rritje të pagave për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit. /E.A/
