Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot ecurinë fantastike të punimeve në aeroportin e Vlorës, ndërsa u shpreh se Aeroporti i Mynihut ka hyrë në këtë projekt duke konfirmuar kështu suksesin e garantuar të dhe kredibilitetin e projektit.
Në nisje të garës për projektin e aksit Milot-Fier, Rama u ndal te projektet e tjera infrastrukturore në vend, siç janë aeroportet dhe hekurudhat. Sipas tij, “aeroportet tanimë janë të gjitha në proces”.
“Aeroportin e Rinasit e kemi në një nivel tjetër nga pikëpamja e kapaciteteve përpunuese qysh prej pak ditësh. Aeroportin e Vlorës e kemi kantier me një ecuri fantastike dhe lajmi i mirë është që Aeroporti i Mynihut, i cili është dhe operatori i parashikuar për Vlorën, ka lançuar një tender të vetin atje për sa i përket gjithë mjeteve të logjistikës së operimit, gjë që konfirmon, nga njëra anë, kredibilitetin e plotë të projektit, konfirmon standardet e projektit. Aeroporti i Mynihut nuk mund të hyjë në një projekt që shkel standarde europiane dhe mjedisore, sikundër është përfolur kot më kot apo edhe të transparencës, dhe konfirmon, po ashtu, suksesin e garantuar të atij projekti sepse Aeroporti i Mynihut nuk mund të futet në një projekt që është një ecje pa sëpatë në pyll, kur i thonë fjalës”, shtoi ai.
Po ashtu, Rama tha se aeroporti i Kukësit ka filluar të rritet ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme.
“Planet për aeroportin e Kukësit janë të qarta dhe ne jemi të bindur që në një kohë të arsyeshme do jetë një pikë referimi për gjithë zonën që prek, qoftë anën tonë në Shqipëri, qoftë anën e Kosovës, madje edhe më gjerë se kaq, përveç atyre shërbimeve që do të ofrojë”, tha ai, ndërsa informoi se së shpejti do hapet gara për aeroportin e Sarandës.
“Me portat e qiellit ne kompletojmë të gjithë rrjetin që kemi paraparë”, theksoi kryeministri.
Ndërkohë Rama shtoi se faza tjetër ka të bëjë me hekurudhat.
“Faktikisht kemi filluar me Tiranë-Durrës, por kemi shumë për të bërë aty, qoftë me hekurudhën drejt Hanit të Hotit e qoftë me hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe qoftë dhe me hekurudhën e Korridorit të 8-të. Këto janë ambicie, por jo ambicie thjeshtë në hava, por ambicie që po materializohen hap pas hapi në procese të ndryshme, procese studimesh dhe projektimesh, procese fizibiliteti, procese të realizimit të investimeve”, tha ai./ATSH/