Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mohoi që data 6 dhjetor të jetë caktuar si ditë pushimi.
“Nuk ka asnjë ditë pushimi është lajm i rremë. Masat e sigurisë nuk negociohen me askënd. Janë masa shumë te rrepta sigurie aq më tepër që në Tiranë do të vijnë liderë europianë që për ta ka masa ekstreme”, deklaroi Rama sot pas mbledhjes së qeverisë.
Më tej, Rama tha se masat e sigurisë do të jenë të rrepta dhe askush nuk mund ta marrë peng samitin.
“Sepse këtë samit e organizon KE. Shqipëria është mbështetëse dhe mikpritëse e këtij samiti. Këtu nuk ka palë që tërhiqen ose jo. Ky aktivitet që është më i rëndësishmi i Shqipërisë para se të bëhet Republikë. Nuk ka ndodhur kurrë që në Shqipëri të zbresë i gjithë kontinenti në shprehje të qartë respekti për Shqipërinë dhe e sheh Shqipërinë si faktor kyç në rajon. Historitë e 1912 që vazhdojnë e tirren janë çështje që ne për fat të keq nuk i shmangim dot por nuk mund ta marrin peng një samit aq më pak të këtyre përmasave. Këtu hyjnë në fushë siguria e samitit dhe garantimi i të gjithë masave të sigurisë për të gjithë liderët dhe delegacionet. Çfarë lidhje ka kjo me Mujin e Halilin?!”, tha Rama, shkruan Oranews.