UBT News

Qindra besimtarë bektashinj në pelegrinazhin e Ballëm Sulltan në Martanesh

Pjesëmarrës ishin edhe Kryetari i Bashkisë Bulqizë Lefter Alla, Kryegjyshi Botëror të Bektashinjve Baba Mondi, Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu, dhe shumë besimtarë të tjerë të ardhur nga e gjithë Shqipëria.

Në fjalën e tij përshëndetëse Baba Mondi uroi besimtarët për këtë ditë të madhe, duke u lutur për sa më shumë begati, mirësi e shëndet për të të gjithë kombin shqiptar.

Nga ana tjetër, Alla u shpreh se janë pikërisht këto vende të shenjta, që na nxisin për të qenë më të të drejtë në raport me të tjerët, me veten, dhe mbi të gjitha me Zotin. Të gjitha besimet fetare në vetvete përfaqësojnë një sistem jetese, ku urdhërohet e mira dhe mohohet e keqja, smira e ligësia ndaj tjetrit.

“Është kjo ndjesi për të cilën ne sot të gjithë kemi nevojë, për të pastruar zemrat nën hijen e besimit, e për t’u lutur për mirësi për të gjithë kombin tonë, por edhe për të gjithë botën, që prej më shumë se një viti e gjysmë po përballet me një nga pandemitë më të vështira të historisë, që u ka kushtuar jetën miliona njerëzve. Janë këto vende dhe këto momente që na bëjnë të reflektojmë ndaj të qenurit tonë human, ku racionaliteti mbisundon mbi egon, ku e mira triumfon mbi të keqen, ku optimizmi mposht pesimizmin, e si përfundim, të gjithë ndihemi më të pastër dhe më të sinqertë përballë Krijuesit.”, tha ai.

Ballëm Sulltani konsiderohet si një ndër figurat më të rëndësishme të bektashizmit. Ai ka jetuar në shekullin XV, kur që i vogël mësoi mistikën dhe u bë dervish. Aktivitetin kryesor e zhvilloi në Teqenë e Haxhi Bektashit në Turqi, ku sulltani i asaj kohe, Bajaziti II e pajisi me dekret të veçantë për drejtimin e saj.

Ballëm Sulltani e riorganizoi urdhrin në të gjithë botën. Riti i pranimit të ashikëve në radhët e bektashizmit njihet si “Metoda e Ballëm Sulltanit”, po ashtu dhe përdorimi i qirinjve në këtë rit, madje edhe guri me 12 ndarje që klerikët bektashinj e vendosin në brez.

Nisur nga të gjitha risitë që i solli urdhrit, Ballëm Sulltani konsiderohet si figura e dytë pas themeluesit Haxhi Bektashi Veliu. Prej vitit 2017, teqeja e Ballëm Sulltanit është shpallur monument kulture.

Exit mobile version