UBT News

Qeveria maqedonase: Open Balkan do të sigurojë fuqi punëtore

Nisma Open Balkan do t’i ofrojë Maqedonisë së Veriut fuqi punëtore për zonat ku ka mungesë të saj, ndërsa tregu i lirë i punës do të sjellë paga më të larta dhe investime në secilin prej tre vendeve, tha qeveria maqedonase, në prag të hapjes së tregut të punës si pjesë e nismës së Ballkanit të Hapur.

Qeveria maqedonase theksoi se Open Balkan është një shans për të rritur konkurrencën e rajonit, por edhe se rritja e ofertës tërheq investime të reja, që është synimi kryesor i Marrëveshjes për Qasje të Lirë në Tregun e Punës.

”Lëvizshmëria është një aspekt i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë dhe nga kjo pikëpamje duhet të jemi të vetëdijshëm se ka fusha, siç është turizmi, ku fuqia punëtore do të vijë në vendin tonë nga Shqipëria dhe Serbia dhe anasjelltas”, tha qeveria maqedonase.

”Ky projekt sjell një konkurrencë cilësore, por edhe rritje të pagave, mundësi të reja dhe shkëmbim përvojash. Plotësuese e kësaj mase është iniciativa për krijimin e një agjencie të përbashkët të tre vendeve të Ballkanit të Hapur për tërheqjen e investimeve të huaja, sepse me një treg prej 12 milionë qytetarësh do të bëhemi më tërheqës për investime më të mëdha. Për këto lloj investimesh që kërkojnë një treg më të madh, kusht bazë është lëvizshmëria rajonale e fuqisë punëtore”, theksoi qeveria.

Duke pasur parasysh se zbatimi i projektit pritet të fillojë në fillim të vjeshtës dhe se një lëvizje e tillë ka ekzistuar edhe para marrëveshjes, qeveria tha se nuk duhet të ketë spekulime me shifra sensacionale dhe kuota që nuk mbështeten nga asnjë analizë.

”Ne besojmë në potencialin dhe cilësinë tonë. Mbështetja rajonale mundëson rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë. Shkëmbimi i punës mes tre vendeve ka ekzistuar edhe para kësaj marrëveshjeje, por tashmë falë Open Balkan, bizneset nuk do të vuajnë dhe do të përballen me procedura burokratike që dikur e shtynin sektorin privat në ekonominë gri. Heqja e këtyre procedurave burokratike si fitimet e ligjshme, pagesa e taksave dhe sigurimet do të nxisin rritjen ekonomike”, shtoi ajo.

Marrëveshja për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor është një nga pesë marrëveshjet e nënshkruara në dhjetor në Samitin e Ballkanit të Hapur nga liderët e tre vendeve, ish-kryeministri Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç./ atsh/

Exit mobile version