UBT News

Qeveria gjermane refuzon kërkesën e Trump-it

Qeveria gjermane ka hedhur poshtë kërkesat e Presidentit të SHBA-së për mbështetjen e aleatëve të NATO-s në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit gjatë luftës në Lindjen e Mesme.

“Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n. Kjo nuk është lufta e NATO-s”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, në Berlin, raporton gazeta gjermane Bild.

Ai shtoi se aleanca është krijuar për mbrojtjen e territorit të vendeve anëtare dhe se aktualisht mungon një mandat për angazhimin e NATO-s në këtë rajon.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul (63, CDU). Duke pasur parasysh vazhdimin e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Wadephul shtoi se kjo pyetje nuk shtrohet “në këtë moment”.

“Ne duam fillimisht të dëgjojmë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kur synojnë t’i arrijnë objektivat e tyre ushtarake në Iran”, tha Ministri i Jashtëm.

Sipas tij, vetëm pas kësaj, në një fazë tjetër, mund të definohet “një arkitekturë sigurie për të gjithë këtë rajon”.

Trump: Mund të jetë “shumë keq për të ardhmen e NATO-s”

Presidenti i SHBA-së kishte deklaruar në një intervistë për Financial Times se NATO do të përballet me një të ardhme të zymtë nëse partnerët e SHBA-së nuk ndihmojnë.

“Nëse nuk do të ketë reagim, ose nëse reagimi do të jetë negativ, mendoj se kjo do të jetë shumë keq për të ardhmen e NATO-s”, citohet të ketë thënë Trump.

I pyetur për këto kërcënime të Trump-it, zëdhënësi Kornelius u mjaftua duke thënë: “Ne i kemi marrë parasysh këto deklarata”.

Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit të lëngshëm, praktikisht është bllokuar për shkak të luftës dhe kërcënimit të sulmeve iraniane. /Bild/

 

Exit mobile version