Gjendja në arsim dhe planet për të zhvilluar këtë sektor, veçanërisht në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës përmes këshillimit për karrierë dhe arsim dhe aftësim profesional, kanë qenë temë e bisedës në takimin e ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, me përfaqësuesen e Ambasadës Gjermane në Kosovë, Anna Stege dhe përfaqësuesit e GIZ Kosova nga projekti aftësimi për tregun e punës.
Në këtë takim, u bisedua për projektin 3 vjeçar me vlerë 7.2 mil euro, përmes së cilit do të mbështeten dy parterët kryesorë MAShTI-n dhe MFPT duke u fokusuar në këshillimin në karrierë, në arsimin dhe aftësim profesional si dhe në masat e ndërlidhura me tregun e punës. Sipas një njofitmi të ministrisë, theks të veçantë përgjatë zbatimit të këtij projekti do të ketë mbështetja për partnerët relevantë në shërbimet këshilluese në proceset për reformat e nevojshme në nivelin e politikave.
Ministrja Nagavci falënderoi shtetin gjerman dhe GIZ-in për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë arsimit vit pas viti dhe theksoi se kjo mbështetje që po vazhdon është shumë e rëndësishme për zhvillimin e arsimit dhe arritjen e synimeve për përgatitjen e të rinjve për tregun e punës përmes orientimit të duhur në karrierë dhe arsimit dhe aftësimit profesional të tyre.
Sa i përket arsimit dhe aftësimit profesional, ministrja theksoi se jemi shumë të interesuar që të fillojmë me mësimin dual dhe po shqyrtohen sistemet e tilla të Gjermanisë, Austrisë e Zvicrës.
Ndërsa, udhëheqësi i projektit të GIZ-it “Aftësimi për tregun e punës”, Tobias Seiberlich, foli për projektin dhe rezultatet e arritura deri më tani. Ai theksoi se ky projekt ka për qëllim fuqizimin e shërbimeve të këshillimit në karrierë, promovimin e përfshirjes së sektorit privat në AAP, mbështetje në zhvillimin e politikave të AAP dhe përmirësimin e tranzicionit nga shkollat profesionale në tregun e punës.
Ministrja Nagavci dhe përfaqësuesit e GIZ-it u pajtuan që të ketë koordinim edhe me donatorët tjerë dhe bashkëpunimi të vazhdojë për avancimin e AAP sipas prioriteteve të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës dhe MAShTI.