Kryeministri i Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë lidhur me demonstrimin ushtarake të Serbisë në komunën e Bujanovcit, fare pranë brezit kufitar me Republikën e Kosovës.
Sipas kreut të qeverisë, fluturimet e helikopterëve H145M dhe lëvizjet e Brigadës 63 të parashutistëve mbi zonat e banuara me shqiptarë përbëjnë një shfaqje të rrezikshme të agresionit dhe trysni të hapur mbi banorët që po përballen me spastrim etnik administrativ.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri u shpreh se kjo shfaqje e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla dhe qendra mjekësore është një provokim i hapur ndaj shtetit të Kosovës.
Kurti bëri një lidhje të drejtpërdrejtë mes kësaj njësie ushtarake dhe ngjarjeve tragjike në veri të vendit, duke deklaruar: “Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese kur kujtojmë se e njëjta njësi ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit Milan Radojçiq, të cilët realizuan sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.”
Sipas analizës së prezantuar në mbledhje, këto lëvizje ushtarake po përdoren si mjet shantazhi nga regjimi në Beograd për të mbajtur rajonin në tension të vazhdueshëm.
Kryeministri theksoi se blerja e armatimit rus e kinez dhe retorika e Presidentit Vuçiq për gjoja sulme nga fqinjtë, konfirmojnë synimet destabilizuese të Serbisë në një kohë kur siguria globale është tejet e brishtë.
“Beogradi po shfrytëzon këtë moment për të sfiduar gatishmërinë e institucioneve dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, sipas interesave të aleatëve të saj, Rusisë dhe Iranit”, u shpreh Kurti.
Pavarësisht këtyre provokimeve, kreu i ekzekutivit vlerësoi se këto veprime vijnë nga dëshpërimi i Serbisë, pasi ajo nuk ka më struktura ilegale brenda Kosovës për të shkaktuar destabilizim të brendshëm.
Gjithashtu, ai dërgoi një mesazh për shqiptarët në Luginë, duke u bërë thirrje që të mos bien pre e politikave nxitëse.
“Institucionet e Kosovës mbeten vigjilente dhe të gatshme për t’u përballur me çdo kërcënim,” siguroi ai, duke kërkuar njëkohësisht nga komuniteti ndërkombëtar që të ndëshkojë këtë qasje të Serbisë që kërcënon drejtpërdrejt paqen rajonale.
