Alexis Sanchez është sugjeruar të rikthehet në Barcelonë nga legjenda e klubit Carles Puyol. Sulmuesi kilian kaloi tre vjet me gjigantin e La Ligas përpara se të bashkohej me Arsenalin në Premier Ligë.
Sanchez u bë shpejt i preferuari i tifozëve të Arsenalit, ndërsa pas aventurës me “Topçinjtë”, ai kaloi në Manchester United, ku kishte një sezon e gjysmë jo të mirë para se të huazohej te Interi, i cili më pas e transferoi atë në formë të përhershme falas.
33-vjeçari nuk ka qenë në gjendje të rimarrë formën që tregoi me Arsenalin te Interi, pavarësisht se është ndër lojtarët më të paguar në ligë. Në 108 paraqitje për gjigantët e Serisë A, Alexis ka shënuar 20 gola dhe ka asistuar në 23.
Me vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij, dhe Interi i etur për ta lënë atë të largohet, ai është lidhur me një rikthim te Barcelona.
Sanchez ka marrë një vulë miratimi nga një prej legjendave më të mëdha të Barcelonës, Puyol, i cili e cilësoi Alexis si një nga lojtarët më të talentuar me të cilët ka luajtur.
“Nuk varet nga unë, por unë do të doja që Alexis të kishte mundësinë të luante përsëri për Barcelonën”, tha Puyol për “SPORT”.
“Përveçse është shumë profesionist, ai është një nga lojtarët më të talentuar me të cilët kam luajtur ndonjëherë. Gjërat në këto ekipe ku ka kaq shumë konkurrencë nuk janë kurrë të lehta. Por me punë dhe disiplinë jam i bindur se ai mund të bëjë një paraqitje të shkëlqyer në klubin që përfaqëson. I uroj atij më të mirën dhe për mua skuadra më e mirë është Barcelona, kështu që kjo është përgjigja”, shtoi më tej Puyol.
Alexis iu ofrua Barcelonës në merkaton aktuale verore, por klubi me sa duket hodhi poshtë mundësinë për ta nënshkruar atë pasi ka transferuar Raphinhan dhe Robert Lewandowskin në departamentin e sulmit dhe gjithashtu kanë rinovuar kontratën e Ousmane Dembeles.
“Nerazzurrët” janë aq të dëshpëruar për t’u ndarë me Alexis, sa thuhet se i kanë ofruar katër milionë euro për t’i dhënë fund kontratës, por kiliani nuk e pranoi ofertën.