UBT News

Publikohet studimi shumëvjeçar në stomatologji me kontributin e Prof. Asoc. Dr. Jeta Kiseri Kubati në International Journal of Dental Hygiene

Një tjetër rezultat i rëndësishëm i bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e shkencave dentare vjen nga Prof. Asoc. Jeta Kiseri Kubati, nga Fakulteti i Stomatologjisë në UBT, e cila është bashkëautore e një studimi shkencor të realizuar në bashkëpunim me studiues të Fakultetit të Mjekësisë Dentare të Universitetit të Rijekës, Kroaci.

Studimi, i cili është rezultat i një pune kërkimore shumëvjeçare dhe i një bashkëpunimi akademik ndërinstitucional, është publikuar në International Journal of Dental Hygiene, revistë shkencore ndërkombëtare e botuar nga Wiley dhe revista zyrtare e International Federation of Dental Hygienists. Revista është e indeksuar në Web of Science – Science Citation Index Expanded (SCIE), Scopus dhe MEDLINE/PubMed, duke i dhënë publikimit një shtrirje të gjerë në komunitetin ndërkombëtar të kërkimit shkencor.

Punimi, me autorë Milan Kos, Marija Kolceg Batinic, Jeta Kiseri Kubati, Daniela Kovacevic Pavicic dhe Stjepan Spalj, trajton perceptimin e pacientëve dhe efektet psikososiale të ndryshimit të ngjyrës së dhëmbëve pas zbardhimit dentar, duke ndjekur ndryshimet jo vetëm në periudhën e menjëhershme pas ndërhyrjes, por edhe gjatë një periudhe njëvjeçare.

Rezultatet sjellin një perspektivë interesante mbi lidhjen ndërmjet estetikës dentare, perceptimit të pacientit dhe mirëqenies psikososiale. Ndryshimi i ngjyrës së dhëmbëve ishte dukshëm më i madh në grupin aktiv pas një jave, ndërsa diferenca u zvogëlua gjatë një viti për shkak të rikthimit gradual të ngjyrës. Në të njëjtën kohë, të dy grupet raportuan rritje të kënaqësisë me estetikën orofaciale në periudhën afatshkurtër.

Ky publikim përbën një dëshmi të rëndësishme të vlerës së bashkëpunimit akademik ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe Kroaci, duke krijuar mundësi për realizimin e projekteve kërkimore klinike me standarde ndërkombëtare.

Exit mobile version