Profesori i Fakultetit për Media dhe Komunikim në UBT, dr. Safet Zejnullahu ka publikuar librin e tij ta radhës, “Media dhe shtetndërtimi – Qendra për Informim e Kosovës”.
Libri trajton kontributin e gazetarëve shqiptarë në mundjen e territ informativ të imponuar nga Serbia në vitet nëntëdhjetë, pas mbylljes me dhunë të mediave në gjuhën shqipe.
Një kohë kur ata ia dolën të njoftojnë botën për çfarë po ndodhte në Kosovë, njëkohësisht afirmuan aktivitetet politike dhe ushtarake – në rrugën drejt arritjes së synimit për pavarësinë e vendit.
“Ky libër është shkruar për të dëshmuar një betejë të madhe të fituar nga gazetarët shqiptarë të Kosovës, kundër territ informativ të imponuar. Për të vulosur një dëshmi – se gazetarët shqiptarë e kryen me sukses pjesën e tyre të detyrës në fazën e luftës për liri dhe në shtetndërtimin e Kosovës.
Ata ia dolën – pavarësisht çmimit të lartë të paguar në këtë betejë!”, shkruan autori në parathënie të librit.
Libri thekson punën e korrespondentëve të mediave të huaja, gazetarëve të huaj dhe mediave perëndimore përgjithësisht, të cilët, me punën e tyre, duke rrezikuar shpesh edhe jetën, u vunë në anën e së drejtës, në anën e shqiptarëve të Kosovës. Raportuan për dhunën sistematike kundër shqiptarëve, për tmerret e luftës dhe vështirësitë e pasluftës.
Hapësirën më të madhe të librit e zë prezantimi i punës së Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), agjenci e lajmeve e krijuar në vitin 1989, e cila publikoi lajme në katër gjuhë: shqip, anglisht, gjermanisht e frëngjisht.
Kjo agjenci, përveç publikimeve ditore të lajmeve, publikoi edhe librat e parë që trajtojnë drejt çështje historike e demografike për Kosovën, nga autorët më të spikatur shqiptarë.
Publikoi revistën “Ora”, në faqet e së cilës mendimet e tyre i shprehnin figurat më të rëndësishme politike të kohës.
Gjithashtu, QIK-u botoi gazetën e parë të mbrëmjes në gjuhën shqipe, për disa muaj, në kohën më të rëndë të viteve 98/99.
“Shpresoj se ia kam dalë që me këtë libër të dokumentoj një kohë, sa të rëndë aq edhe të lavdishme të medias në Kosovë. Gazetarët janë kontributdhënës të mëdhenj të shtetndërtimit të Kosovës. Ata dhanë edhe dëshmorët dhe heronjtë e tyre. Dhe dolën faqebardhë me punën e tyre në një kohë shumë të rëndë. Ky libër e dëshmon këtë”, thotë autori Safet Zejnullahu.
