Gjiganti francez, Paris Saint-Germain është në bisedime për të nënshkruar me mbrojtësin e Chelseat, Antonio Rudiger, raporton “Bild”.
Po ashtu, mbrojtësi 28-vjeçar ka qenë i lidhur edhe me një transferim te gjiganti spanjoll Real Madrid, pasi që është duke hyrë në gjashtë muajt e fundit të kontratës së tij aktuale në “Stamford Bridge”.
Spekulohet se PSG është duke e kryesuar garën për të siguruar shërbimet e Rudiger, ku edhe thuhet se drejtori sportiv, Leonardo ka hapur bisedimet me agjentin e mbrojtësit gjerman.
Që prej transferimit nga skuadra e Romës te Chelsea, Rudiger ka arritur të paraqitet në 170 ndeshje në të gjitha garat për kampionin evropian, duke regjistruar nëntë gola dhe shtatë asistime mbi emrin e tij.