Ekipi nga Ligue 1, Paris Sanit-Germain, po monitoron situatën e mbrojtësit shqiptar Elseid Hysaj te Napoli. ESPN ka shkruar të premten se PSG-ja ka shprehur interesim për transferimin e Hysajt në fund të këtij edicioni.
Raportohet se drejtori sportiv i ekipit francez, Leonardo, tashmë ka nisur kontaktet me përfaqësuesin e Hysajt duke pasur parasysh se mbrojtësit të Shqipërisë i skadon kontrata me Napolin në fund të sezonit.
Më herët, agjenti i Hysajt ka paralajmëruar largimin e klientit të tij nga ekipi italian pasi ka refuzuar rinovimin e kontratës.
Te PSG-ja, Hysaj po shihet si opsion i lirë për repartin defensiv. Hysaj 27-vjeçar këtë edicion ka 15 ndeshje dhe dy asistime për Napolin në të gjitha garat. Ai këtij ekipi iu bashkua nga Empoli për 15 milionë euro.