Nata e parë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve ka dhuruar një spektakël, ku Paris Saint-Germain ka triumfuar me rezultatin e pabesueshëm 5-4 ndaj Bayern Munich. Në një mbrëmje që kishte gjithçka – përmbysje, supergola dhe dramë me VAR – të dyja skuadrat dëshmuan pse janë në majat e futbollit evropian.
Ndeshja nisi më mirë për bavarezët, të cilët zhbllokuan rezultatin në minutën e 17-të përmes Harry Kane, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë. Megjithatë, festa e miqve zgjati pak, pasi Khvicha Kvaratskhelia barazoi në minutën e 24-t me një aksion mjeshtëror individual.
Vrulli i parisienëve u kurorëzua në minutën e 33-të, kur Joao Neves goditi saktë me kokë pas një korneri për rezultatin 2-1. Por, kur mendohej se PSG do të dominonte, Michael Olise “ngriu” stadiumin në minutën e 41-të me një goditje të jashtëzakonshme nga jashtë zone që përfundoi në trekëndëshin e portës. Drama e pjesës së parë u mbyll në minutat shtesë, ku pas rishikimit me VAR, Ousmane Dembele shënoi nga penalltia, duke dërguar skuadrat në dhomat e zhveshjes me shifrat 3-2.
Fillimi i pjesës së dytë ishte një “uragan” për Bayernin. Brenda dy minutave (56’ dhe 58’), Kvaratskhelia dhe Dembele plotësuan dopietat e tyre respektive, duke e dërguar rezultatin në një 5-2 që dukej shkatërrues.
Por Bayern Munich nuk dorëzohet kurrë. Dayot Upamecano në minutën e 65-të ngushtoi diferencën me kokë, ndërsa pesë minuta më vonë, Luis Díaz shënoi golin e katërt pas një rishikimi tjetër me VAR që konfirmoi pozicionin e tij të rregullt.
Në minutat e fundit tensioni arriti kulmin. PSG pati shansin e artë për ta mbyllur përfundimisht ndeshjen me talentin Senny Mayulu, i cili pasi shmangu portierin Neuer, goditi traversën me portën e zbrazët.
Në fund, rezultati 5-4 lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit, duke vulosur njërën prej sfidave më magjike në historinë moderne të Ligës së Kampionëve.
