UBT News

Pse zemra nuk preket nga kanceri?

Kanceri është një nga sëmundjet më vdekjeprurëse në botë. Të dhënat e autoriteteve zyrtare tregojnë se çdo vit në vendin tonë regjistrohen rreth 5,500 raste të reja. Më së shumti preken mushkëritë dhe gjiri.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, numri i meshkujve të prekur nga kanceri është katër herë më i lartë se ai i femrave.

Kanceri mund të prekë shumë organe të trupit, si gjiri, mushkëritë, koka, lëkura, zorra e trashë dhe veshkat, por rrallëherë zemrën.

Pse zemra prekët aq rrallë nga kanceri?

Ekspertët shpjegojnë se edhe pse zemra mund të preket nga kanceri, rastet janë të rralla dhe tumoret zakonisht janë beninje.

Për të kuptuar pse zemra është më e mbrojtur nga kjo sëmundje, duhet të kuptojmë më parë funksionimin e qelizave.

Çdo qelizë e trupit ka potencialin të bëhet kancerogjene. Kanceri lind nga mutacionet e ADN-së së qelizës. Para se një qelizë të bëhet kancerogjene, i nënshtrohet një sërë mutacionesh, shumica e të cilave ndodhin gjatë ndarjes së qelizës për të formuar ADN-në e re.

Qelizat e zemrës janë të veçanta, pothuajse nuk ndahen dhe nuk krijojnë qeliza të reja, përveç në rast të lëndimeve. Duke mos u ndarë, mundësia për të pësuar mutacione është e vogël. Ndryshe ndodh me qelizat e gjirit, zorrës së trashë dhe lëkurës.

Ato zëvendësohen vazhdimisht gjatë jetës e ndikohen nga hormone apo faktorë tjerë. Për shkak të ndarjes së shpeshtë, këto qeliza kanë më shumë mundësi të kalojnë mutacione dhe të zhvillojnë kancer.

Zemra, nuk është e ekspozuar ndaj shumicës së kancerogjenëve të jashtëm apo atyre të brendshëm dhe qelizat e saj nuk kalojnë në mutacione, prandaj prekja nga kanceri është jashtëzakonisht e rrallë. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version