UBT News

Pse India e ndaloi transmetimin e dokumentarit të BBC-së rreth Modit?

Qeveria e krahut të djathtë të Indisë e ka ndaluar transmetimin e një dokumentari të BBC-së, i cili vë në pikëpyetje udhëheqjen e kryeministrit Narendra Modi gjatë trazirave të vitit 2002 në Gujarat.

Qeveria e konsideron këtë dokumentar si propagandë, dhe e urdhëroi Twitterin që të heqë mbi 50 postime që lidhen me dokumentarin, si dhe kërkoi nga YouTube të bllokojë çdo video që lidhet me dokumentarin.

Të martën u ndalua edhe transmetimi i dokumentarit në një prej universiteteve kryesore të Indisë. Madje mediat e huaja raportojnë se po atë ditë u ndërpre energjia elektrike dhe interneti në zyrën e unionit të studentëve që ka organizuar ngjarjen. Mediat indiane raportojnë se studentët që po e shikonin dokumentarin u hodhën gurë.

Çfarë ndodhi në Gujarat në vitin 2002?

Në fund të vitit 2001, Modi u emërua kryeministër i shtetit Gujarat për të zgjidhur konfliktet e brendshme në Partinë Bharatiya Janata (BJP).

Deri atëherë, ai ishte një anëtar i shquar i Rashtriya Swayamsevak Sangh (RSS), mentori ideologjik i ekstremit të djathtë të BJP-së, i themeluar në vitin 1925 sipas linjave të partive të atëhershme fashiste evropiane. RSS synon të krijojë një shtet etnik hindu në Indi, ku 200 milionë myslimanë do të jenë qytetarë të klasit të dytë.

Në shkurt 2002, një tren me shumë pelegrinë hindu që po ktheheshin në shtëpi nga qyteti tempullor i Ayodhya në shtetin Uttar Pradesh, u përfshi nga zjarri dhe mbetën të vdekur 59 persona. Ndonëse qeveria e udhëhequr nga Modi pretendonte se shitësit myslimanë në stacionin Godhra dogjën trenin, sipas një raporti të vitit 2006, i udhëhequr nga një komitet i caktuar nga qeveria federale arriti në përfundim se zjarri ishte aksidental.

Sapo u përhap lajmi për incidentin në Godhra, turmat hindu filluan të tërbojnë nëpër lagjet myslimane në të gjithë Gujaratin. Më shumë se 2 mijë persona, shumica prej tyre myslimanë, u vranë dhe dhjetëra gra u përdhunuan në atë që konsiderohet të jetë një nga masakrat më të këqija fetare në historinë e Indisë, duke e bërë Gujaratin një nga shtetet më të polarizuara fetarisht të Indisë.

Shumë qeveri të huaja, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, ndalën bashkëpunimin Modi në atë kohë, ndërsa Shtetet e Bashkuara ia ndaluan hyrjen.

Për çfarë rrëfen dokumentari i BBC-së?

Dokumentari 59-minutësh pretendon se Modi, i cili ishte kryeministër i Gujaratit gjatë asaj kohe, urdhëroi policinë të mbyllte njërin sy ndaj dhunës që vazhdoi për ditë të tëra.

Filmi citon një raport të ministrisë së jashtme britanike, ku citohen disa burime të paidentifikuara, duke thënë se Modi takoi zyrtarë të lartë policie dhe i urdhëroi ata të mos ndërhynin në sulmet ndaj myslimanëve. Në raport thuhej se dhuna ishte “e motivuar politikisht” dhe se qëllimi është “spastrimi i myslimanëve nga zonat hindu”.

Trazirat ishin të pamundura “pa klimën e mosndëshkimit të krijuar nga qeveria e shtetit… Narendra Modi është drejtpërdrejt përgjegjës”, thuhet në raport.

Në një deklaratë që BBC lëshoi pas urdhrave të Indisë për ndalimin e dokumentarit, thuhet se ai ishte “hulumtuar në mënyrë rigoroze sipas standardeve më të larta editoriale”.

Pse Modi dëshiron që dokumentari të mos shihet?

Modi ka mohuar vazhdimisht akuzat se ai nuk arriti të ndalte trazirat në Gujarat.

Një ekip i posaçëm hetimor i caktuar nga Gjykata e Lartë për të hetuar rolin e Modit dhe të tjerëve në dhunë njoftoi përmes një raporti prej 541 faqesh në vitin 2012 se nuk mund të gjente asnjë provë për të ndjekur penalisht kryeministrin e atëhershëm.

Vitin tjetër, Modi u emërua kandidati i BJP për kryeministër. Ai fitoi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014 dhe u kthye në vitin 2019 me një shumicë më të madhe në parlament.

Që nga viti 2014, BJP e Modi – dhe grupe të tjera të krahut të djathtë të lidhur me RSS – kanë intensifikuar fushatën e tyre supremaciste hindu duke synuar kryesisht myslimanët e vendit, pakicën më të madhe.

Prandaj ndalimi i këtij dokumentari që u realizua nga një organizatë mediatike e huaj me reputacion është vetëm përpjekje e qeverisë për të refuzuar çdo kritikë ndaj agjendës së saj.

Mbështetësit e Modit në mediat sociale po e quajnë dokumentarin e BBC-së një propagandë “koloniale” dhe “e bardhë”./UBTNews/

Exit mobile version