Në Ditën e Pavarësisë së Kosova, më 17 shkurt, platforma “Liria ka emër” ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste në mbështetje të ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilët po përballen me gjykim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Sipas organizatorëve, data e zgjedhur nuk është e rastësishme, pasi ata e lidhin drejtpërdrejt shpalljen e pavarësisë me luftën çlirimtare dhe me rolin e UÇK-së në procesin e shtetformimit.
Thirrja për protestë ka marrë përkrahje edhe nga figura publike në Kosovë, përfshirë artistë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta dhe personalitete të njohura të jetës publike, të cilët kanë shprehur mbështetje përmes deklaratave dhe rrjeteve sociale. Organizatorët kanë bërë thirrje që tubimi të jetë paqësor dhe dinjitoz, si formë demokratike e shprehjes së qëndrimit në një ditë që simbolizon lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.
Në Hagë po gjykohen ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë ata i kanë mohuar akuzat.
Krijimi i Dhomave të Specializuara lidhet me raportin e vitit 2011 të hartuar nga senatori zviceran Dick Marty në kuadër të Këshilli i Evropës, pas të cilit, në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë themelimit të kësaj gjykate.
Legjislatura e sapozgjedhur e Kuvendit të Kosovës dite më pare ka miratuar rezolutën për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, përmes së cilës kërkohet që ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të zhvillohet një proces gjyqësor i drejtë.
