Sot, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë u bë promovimi i trilogjisë “Ato gdhendin dhimbjen”, i autores Alketa Gashi-Fazliu. Me këtë rast, u tha se trilogjia është kontribut i cili i adresohet shoqërisë sonë dhe se paraqet ngjarjet më të dhimbshme, por njëherit më krenare, rënien për liri të të rinjve gjatë luftës 98’-99’.
Autorja e librit, Alketa Gashi-Fazliu deklaroi se për përgatitjen e trilogjisë, nga i gjithë territori i Kosovës ka marrë emocione të vërteta dhe të papërsëritshme.
“Vërtet nuk më ka detyruar askush, nuk më ka thënë kush kurgjo, në qoftëse poersonalisht kam pasur nevojë të merrem me diçka më të bukur, më estetike, që të më mbushë zemrën me dashuri, me mirësi, pak momente pozitiviteti, unë shkoj i bëj vetes një grumbull emocionesh, që s’i kontrollova dot më kurrë dhe s’e besoj që do t’i marrë më në jetë…Nga gjithë territori i Kosovës kam marrë emocione të njëmendta, të vërteta dhe të papërsëritshme. E falë nënave tona, ne sot e gëzojmë lirinë, sepse këto nëna lindën ata që ranë për atdhe”, tha ajo, duke falënderuar nënat që për të kanë ndarë rrëfime të jashtëzakonshme.
Historiani prof. Dr Muhamet Mala, i cili është edhe recensent i librit, u shpreh se libri “Ato gdhendin dhimbjen” është pjesë e një trinomi dokumentar, që paraqet ngjarjet më të dhimbshme, plagën më të pashëruar, por njëherit më krenare, rënien për liri të të rinjve shqiptarë në Kosovës gjatë luftës 98’-99’.
“Autorja Gashi-Fazliu është përkujdesur që përmes rreshtave, të shkruara me mjeshtri dhe kujdes, po edhe me ndjenjën e dhimbjes dhe emocionit t’i paraqes rrëfimet më autentike të 15-të nënave shqiptare që u vranë bijtë në luftë, dëshmitë e tyre janë të thjeshta, por shumë të fuqishme dhe emocionale. Ato shprehen përmes gjuhës mallëngjyese që buron nga shpirti i tyre i lënduar, por njëherit janë edhe orgjinale dhe të padëgjuara deri tani”, tha ai.
Redaktori Aleksandër Çipa deklaroi se trilogjia e Alketa Gashi-Fazliut është e pazakontë në botimet tona. Ai tha se trilogjia është kontribut, i cili i adresohet shoqërisë sonë.
“Gjithë cikli i botimeve që përfshihet në këtë trilogji përbën një rast unik në gjithë botimet e sotme, të cilat janë në një gamë prurale, që vijnë prej Shqipërisë londineze në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare në përgjithësi…Ky botim dhe akti bashkëshoqëruar me dokumentarin audio-vizual dhe sidomos edhe me ekspozitën plotëson një nga kriteret më të rëndësishme të formave dhe metodave të komunikimit. Është edhe skriptual, edhe audio-vizual, edhe imazhinist”, tha ai.
Salihe Salihu nga Instituti shkencor suedezo-kosovar, tha se libri i Alketa Gashi-Fazliut, libër, film dhe ekspoze, ka vërtet përmbajtje prekëse.
“Libri, filmi dhe ekspozeja me fotografi janë artefakte të çmuara dhe që mund të shërbejnë si burim në gjurmime në multipresektiva shkencore. Për perspektiva shkencore ka mjaft material nga kjo trilogji dhe për me fol rreth tyre, në perspektiva të ndryshme duhet distancuar nga emocionet e dhimbjes dhe me gjakftohësi me përcjell mesazhin e nënave të dëshmorëve, të 15-të nënave, protagoniste në këtë libër, në ekspoze, në film dokumentar”, nënvizoi ajo, duke shtuar se janë shumë mesazhe prekëse të nënave që përcjellin djemtë e tyre për në luftë, si ushtarë lirie në UÇK.
Ajo shtoi se autorja me këtë trilogji po jep kontribut të madh duke sjellë dëshmi të dorës së parë, të cilat mund të shërbejnë si pika referuese në perspektiva shkencore.